Kurovi (polonisht Kurów) asht fshat në juglindje të Polonisë, mes qyteteve Pulavi dhe Lublin, në breg të lumit Kurovka. Asht kryeqytet i nji rrethi (gmina) të veçantë në provincën (vojvodska) e Lublinit dhe i ka 2811 banorë (vjeti 2005).
Diku mes viteve 1431 e 1442, fshatit iu akorduen të drejtat e qytetit në bazë të Ligjit të Madgeburgut. Si qytet privat, ka qenë qendër e tregtisë së ushqimit në rrethinë. Shumë fabrika për përpunimin e leshit dhe lëkurës kanë funksionue këtu gjithashtu. Në shek. XVI, Kurovi ishte nji nga qendrat e kalvinizmit, kur shumë prej kundërshtarëve polakë të shëndërtatit (arianistët) u vendosën aty. Kah viti 1660, shumica e banorëve u patën kthye në arianistë.
Pas vitit 1660, qyteti e ndanë historinë me pjesën tjetër të rajonit. Me 1795, mbas copëtimit të tretë të Polonisë, Kurovi u aneksue prej Austrisë. Me 1809, u ba pjesë e Mbretnisë së Polonisë. Gjatë Kryengrritjes së Nandorit, në shkurt 1831, nji betejë e vogël u zhvillue në Kurov, me ç’rast ushtria polake i shpartalloi rusët. Me 1870, gjatë Kryengritjes së Janarit, Kurovi e humbi aktin themelues që e përkufizonte si qytet. Këte nuk e ka rifituar ma. Prej vitit 1918, Kurovi asht përsëri pjesë e Polonisë.
Më 9 shtator 1939, gjatë Luftës për Mbrojtjen e Polonisë siç quhet polonisht fillimi i Luftës së Dytë Botnore, fshati u bombardue randë prej gjermanëve. Ndër caqet e shkatërrueme ishte edhe nji spital civil (i shënuem me kryqa të kuq), ku u vranë shumë njerëz. Gjatë LIIB, Gjermanija instaloi kampe të punës për të burgosun. Më 1942, nji geto e vogël u themelue. Sidoqoftë, shumë polakë të burgosun në Kurov ikën e iu bashkangjitën çetave të ushtrisë polake që veprojshin në malet përreth.
Për turistët asht e veçantë Kisha e Renesancës (rinovue me 1692) me vorrin e familjes Zbaski dhe skulpturat e Santi Guçit (1587). Kurovi asht vendlindja e gjeneralit Wojciech Jaruzelski.