Gjon Shllaku, fisniku i fundit shqiptar
Si mund të nisej biseda me nji njeri që thotë se po harton fjalorin e latinishtes me gjashtëdhjetëepesë mijë fjalë, kur unë vë në dyshim 65 mijë fjalët e mija të shqipes
Irhan JUBICA
ARS, 2003
Vetëm nji vit mbas natës kur nji gazetar leshatak e nji tjetër qeros hoqën prej gazetës së tyne njoftimin e paguem, ku kumtohej dalja e nji reviste të re letrare, takova - ma në fund - të parin njeri të cilit s’kisha nevojë me i shpjegu’ domethanien e fjalës “ars”.
Kisha shkue në Shkodër për me njoftë njeriun që e quente fat burgosjen 11-vjeçare, ngase ai izolim i kishte mundësue të mësuemit e nji tjetër gjuhe t’huej: greqishten e vjetër. Prej Kishës së Madhe dynden njerëz, e për nji çast m’rren mendja se 80-vjeçari që kërkoj mundet me qene mes tyne, por s’asht ashtu. Gjon Shllaku e ka Zotin ma afër se kurrë e ma afër se të tanë të tjerët. Nuk asht nevoja që Gjon Shllaku me shku’ te Shtëpia e Zotit, shkon Zoti te shtëpia e Gjonit, shkon, aty ka ndejtë përditë, nëpërmjet hebraishtes t’fjalës së shenjtë, nëpërmjet vendit të shenjtë Bersabe (t’përmendun në Bibël), që simbas Shllakut shpjegohet vetëm me fjalët shqipe “bënë ca be”.
Rrallëherë kam pa njeri me sy aq të mirë. Vetëm mbesa ime e vogël, Valmira njivjeçe i ka sytë aq të pastër e të çliruem sa ai burrë plak, të cilit i dhashë dorën, tu’ mendue se si mund të nisej biseda me nji njeri që thotë se po harton fjalorin e latinishtes me gjashtëdhjetëepesë mijë fjalë, kur unë vë në dyshim 65 mijë fjalët e mija të shqipes. Nuk takohen përditë njerëz si Gjon Shllaku, që punon tash 16 vjet mbi nji fjalor, për të cilin ka gdhendë, në makinën e vet të vogël të shkrimit, pesë mijë faqe e guxon me thanë, si pa gja të keq, se i kanë mbetë “veç 600 faqe” si me qenë fjala për nji mbasthanie dyfaqëshe.
Ka ra në burg për politikë, sepse siç dëshmon edhe nji bashkkohës, kishin themelue organizatën “Bashkimi Shqiptar”. “Ishim nxanës, çka dijshim ne ç’asht politika”, thotë teksa nji keqardhje e thellë e pushton kur kujton profesorin e athershëm që u pushkatue prej regjimit komunist për të njajtën akuzë me të cilën Gjonin e dënuen përjetë. Del prej burgut mbas 11 vjetësh, dhe punon llogaritar-normist deri në pensionim, tue u kujdesë mos me ua rritë punëtorëve normën ma shumë se ata mundeshin me ba, edhe pse ky veprim mundej me u marrë si sabotim. Ai bani çka mundi në atë kohë të pashpresë kur jeta e tij mbahej te përkthimi, te leximi: Homeri, Sofokliu, Virgjili. Latinët, sidomos. Sepse “me i hekë botës kulturën latine asht si me i hekë palcën e kurrizit”.
Por ndryshe nga dofarë artistësh që po çirren tue përmendë deri në halè burgun (edhe ordiner), Gjon Shllaku, ky fisnik i fundit shqiptar s’pranon me zanë ma n’gojë qelinë. Për burgun, ma së shumti flet e shoqja, nji grue që tregon tepër kujdes që Gjoni të mos ndihet i lodhun në asnji moment. Gjoni vetë nuk flet për burgun, sepse e ka varrosë tashma atë periudhë bashkë me fjalorët e ndaluem prej Kostallarit, e me veprat e tjera të pabotueme që presin te arka e madhe në dhomën tjetër. Te ajo arkë ruhet edhe lista prej 150 fjalësh shqipe, që përkthyesi ka hasë tu’ studiue grekët, latinët e hebrejtë e vjetër. Sepse “nuk asht rastësi që kanga e parë e Iliadës hapet me fjalë shqipe: siç Homeri e shkroi “menin”, simbas Gjon Shllakut asht vetëm shqip: mëri, mni. Këndo, hyjneshë, mninë e Akil Pelidit.” Me nji modesti që të çmend, Gjoni shpjegon gjana të padituna ma parë, e këtë e ban me shumë dashamirësi ndaj gjuhës sonë e prejardhjes së largët të saj: “mbishkrimet në disa varre të vjetra në Gjermani, Francë e ma andej janë deshifrue vetëm me gjuhën shqipe”.
Të nesërmen ishte e pamundun me e takue. Hyna në kuzhinë, por sytë e Gjon Shllakut s’i pashë. Në vend të tyne, mbi skrivani zgjatej bishti dredharak i nji kapuçi që mblonte kryet e varun të përkthyesit. Bashkë me nji libër timin të dikurshëm me poezi, lashë diçka për ditëlindjen që e priste pas dy javësh dhe u nisa drejt kryeqytetit të zhurmshëm të shqiptarëve, ku të tetëqindmijë frymët që e popullojnë e dinë veten qendra e globit, kufinin e epërm të dijes, mundësisë, sakrificës njerëzore. Mjafton me lexu’ secilën recensë për librat, secilin shënim për përkthimet, secilin artikull të rëndomtë për me e konstatue këtë. Kështu ndodhi edhe me ceremoninë e 80-vjetorit. Gazetat e Tiranës (për të cilat, Kadare me të drejtë thotë se janë provinciale) u lëshuen me sajue shkrime për “përkthyesin e madh” Gjon Shllaku, tu’ e ngatërrue punën aq keq sa e shuguruen prift franceskan nji vit para se me e lindë! Kësaj atmosfere mjerane në media, (intervistat për nji libër të parë bllokojnë faqet e “gazetës më të madhe” kurse shkrimi për Gjon Shllakun bahet më i vogël se reklamat hotline) i bashkngjitet Ministria e Kulturës me Presidencën, që për nji defekt teknik shtyjnë dhanien e titullit “Mjeshtër i Madh i Punës”. Vetë ministrja, n’shoqninë e njerëzve që kanë shfrytëzue punën e palodhun të Profesor Gjon Shllakut për interesa të tyne, pati në Shkodër lloj-lloj takimesh tjera, tu’ mos ditë me çue nji nderim deri në fund.
- * *
“Latinishtja ka me u kthye.”
E nëse ndonji ditë kjo ka me ndodhë, ne ka me na u dashtë me kërkue ndërmjetësit e modernizimit tonë kulturor me finesën latine, sepse qysh tash ka probleme të mëdha komunikimi, të tilla që vijnë, simbas Levit, për shkak se çdokush shpik kodin e vet, tue u ba kështu i pakuptueshëm prej tjetrit.
Por a mundet me i mungue asaj dite Gjon Shllaku?
Apo Zoti ka me e lypë për me e pasë ma të lehtë komunikimin me njerëzit?