Wp/aln/Fishta

< Wp | aln
Wp > aln > Fishta

Heshtja për Fishtën[[1]]

Irhan Jubica


Çâshtje vullneti

“Eshtrat e Gjergj Fishtës janë në Rrmaj”, pat kumtue Fritz Radovani prej Australisë së largme qysh në tetorin e kaluem – me gjasë menjiherë mbas artikullit “Një varr për të vërtetën e eshtrave të Fishtës” që u publikue atëkohë, por ikën muej e kurrkush prej kishës s’kshtênë s’e begenisi çâshtjen. Bash si me pasë qenë një gjâ ordinere, kisha heshti edhe mbas 6 prillit 2008, kur Radovani u detyrue prej shpërfilljes, si shkruen ai vetë, me u bâ nji letër të hapun institucioneve mâ të randësishme e krejt shoqnisë shqiptare. Përpara se me e botue në gazetat e 8 prillit, individë me pikësynime jopublike në këtë çâshtje u kujdesën me e shpërnda në çdo adresë elektronike tekstin e shkruem me nji gegnishte të variueshme nga njeni paragraf në tjetrin, si me dashtë me të bindë përfundimisht për autorsinë.

Pavarsisht se duket si nji përfundim i parakohshëm, asht e qartë se vetëm nji person e mori seriozisht letrën e Radovanit: gazetarja kulturore e “Gazetës Shqiptare” vizitoi vorret katolike të Shkodrës simbas planimetrisë që përshkruente autori i letrës së hapun, por n’vend të gjurmëve të Fishtës gjeti vorrin e ish-kryekuvendarit të Shqipnisë, Pjetër Arbnori. Letra i drejtohej edhe prokurorisë, por mësohet se deri tash nuk ka nisë asnji hetim për me pâ vërtetsinë e fakteve që përshkruen Radovani. Kjo s’asht ndonji gjâ e re në fakt, tue pasë parasysh se nji hetim i tillë nuk u krye asnjiherë mbas vitit 1990, madje as mbas deklarimeve të disa eksponentve katolikë të Shkodrës, po në të njâjtën gazetë (15 dhjetor 1996), se ndoshta eshtnat e Fishtës ishin n’Rrmaj. Edhe mungesa e kërkesës zyrtare për me hetue, si pjesë e procedurës, mundet me qenë nji tjetër shkak i parandsishëm për mosnisjen e hetimeve prej prokurorisë, por shumë mâ tepër ka gjâsa me qenë shpërfillja që i bahet krejt çâshtjes së Fishtës, sidomos kur ajo e kalon retorikën mjerane të nipave të priftënve e t’priftënve të pashuguruem dhe bahet e prekshme.


Prapë çâshtje vullneti


Në përpjekje për me heqë prej shpine një peshë që mendon se e ka, Fritz Radovani u shfaq me këte letër të hapun, tu’ i trazue mâ keq ujnat. Asht e drejtë me besue se me vullnetin e tij të lirë te “Një monument nën dhè” pak vjet ma parë kishte shkrue se “përveç françeskanëve të tjerë u dhunue vorri i Poetit Kombëtar At Gjergj Fishta dhe … eshtnat… u tretën.” Megjithatë, siç asht e kuptueshme në rastin e nji shqiptari, në letrën që s’ka kurr’í hije ndjese për mbulimin që i paska bâ të vërtetës, autori nuk e ka pâ t’arsyeshme me e kujtue atë fjali. Asht e drejtë me besue se prapë me vullnetin e tij të lirë ka zgjedhë me rrfy’ se të vërtetën për eshtnat e Fishtës e paska pasë ditë qysh në vitin e largët 1980. E jo vetëm kaq. Radovani ia ka rrfye sekretin edhe tre të tjerëve, përfshi Konrad Gjolajn, i cili te libri “Çinarët” – sikurse nënkuptohet në “Një varr për të vërtetën e eshtrave të Fishtës” do të ketë pasë konsulencën e duhun për mos me shkrue asnji rresht për këtë çâshtje, që simbas konfirmimit të mbramë të Radovanit, ka qenë e ditun prej tij.

E meqë Gjolaj prehet n’amshim, i vetmi që mundet me i hedhë poshtë ase me i vërtetue fjalët e Fritz Radovanit asht Anton Benussi, antari mâ i vjetër i kshillit të qytetit të Shkodrës, nji ndër emnat që kryesia e PD i shtoi listës me kandidatë për zgjedhjet lokale të 18 shkurtit 2007 pa miratimin e antarsisë. N’at’ qytet qarkullojnë aq shumë fjalë sa ndokush mundet mos me e mbajtë mend se çka ka thânë vetë e kjo padyshim që ia ul seriozitetin shumicës së këtyne fjalëve. Por humori shkodran ka edhe arsye tjera. Megjithatë, mbas vullnetit të lirë të Radovanit për me e përfshi Benussin në këtë çâshtje, duhet vullneti i lirë i këtij të fundit për me e rrfye variantin e tij të dijenisë për eshtnat e Fishtës, ashtu si rrfen histori italiane në mbledhjet e këshillit të qytetit. Ka përherë edhe nji rrugë tjetër, e këte e njofin të tanë: heshtja.

Edhe pse nuk janë thânë të tana.


Gazeta Shqiptare, e diel, 25 maj 2008





Letër e hapun e z. Fritz Radovani

TË GJITHË ATDHETARËVE SHQIPTARË MBRENDA E JASHTA ATDHEUT!


Për dijeni:

Argjipeshkvisë Shkoder dhe Tiranë, Kuvendit Françeskan Shkoder, Lezhë, Troshan, Këshillit Ndërfetar të Shqipnisë, Tiranë, Z.Jozefina Topalli, Kretar i Kuvendit Popullor, Tiranë, Z.Prof.Dr. Sali Berisha, Kryeminister i Republikës së Shqipnisë, Z.Prefektit të Shkodres, Z.Kryetarit të Bashkisë së Shkodres, Z.Prokurorit të Shkodres, Z.Drejtorit të Organeve të Ruajtjes së Rendit në Shkoder, Të gjitha organeve të Shtypit dhe mjeteve të Informacionit Shqiptar!


ESHTNAT E AT GJERGJ FISHTËS O.F.M. JANË NË RRMAJ !...


Një prift i ri, kur pat takue At Meshkallën dhe i tregoi se Imz. Ernesto Çoba, i kishte mësue këtij kushtet që duhet me heshtë, Mëshkalla i tha: “Shko e thuaj Monsinjorit, me të mësue kushtet që duhet me folë, se me heshtë kemi heshtë boll!...

Edhe unë, tue rikujtue porosinë e At Meshkallës, po flas se boll kam heshtë!...

Aty rreh vitit 1980, kam shkue ndër vorre të Rëmajt me u interesue për një vorr të një familjarit tem. Kam takue të Ndjerin Gjon Gjergji, ish roje e vorreve. Mbasi kemi bisedue për problemin personal, Gjoni me një dashamirësi dhe me njëfarë afrimiteti, më mori për krahu dhe u nisëm në drejtim të Kapelës së vorreve.

Mbas pak minuta heshtje, më tha: “Do të shkojmë bashkë në një vend sekret, kam besim se nuk ke me folë me njeri, mbasi kjo që po të tregoj asht gjithmonë me rrezik ba me folë...”

Ecëm nga ana e majtë e Kapelës, kaluam vorrët e motrave stigmatine, numroi 1,2,3,4, selvijat dhe tek e katërta, ndaloi. U afruam tek muri dhe aty më shikoi në sy dhe, më tha: “Fritz, Pashë Shpitnat e Atyne të vdekunve që ke në këte vend, dhe që, nga njohja me Ta, po të besoj edhe ty, të lutem mos me folë me asnjeri pa ardhë ajo kohë që ti ke me pasë mundësi me tregue,... se je i ri e njëditë...

këtu, unë kam futë një thes qimentoje me Eshtnat e At Gjergj Fishtës...”.

U stepa në vend. Pak minuta nuk kemi shkëmbye asnjë fjalë. Për me sigurue kujtesën teme, kam shikue pranë vorrin e një grues së re që kishte një foto në porçelan. Kam numrue edhe njëherë selvijat dhe jemi kthye me Gjonin në drejtim të Kapelës. Aty jemi ndalue prap.

Gjoni më kuptoi mirë vetëm me të shikueme se cila mund t’ishte pyetja ime: “Si mundën me kenë në Rëmaj Ato Eshtna shumë të përfoluna dhe të “tretuna” në lumin Drin, pranë Urës së Bahçallekut?”....

Më shpjegoi se: “Ka shkue në një mbasdreke, rreth orës 15.00 në shtëpi të Gjonit, ish Drejtori i Ndermarrjës që merrej me riparimin e Kinema Puntori (ish Kisha e Fretenve), i Ndjeri Shyqyri Rrjolli, dhe i ka kërkue me shkue për një problem urgjent në Rëmaj. Gjoni ka marrë çelsat, ka hypë në makinën e Shyqyriut dhe janë gjetë për 3 minuta aty, nga rruga Çanej ku banonte Gjoni.

Kanë hy me makinë deri tek Kapela, janë ndalue dhe, kanë shkue tek vendi ku kishte mendue Shyqyriu, me varrosë “thesin e qimentos”. Gjoni me një lopatë ka hapë një gropë të vogël, po Shyqi, i ka marrë lopatën dhe e ka thellue ai vetë ma shumë gropën, tue shkue afro 50 – 60 cm. thellësi. E kanë mbulue dhe porosia ishte që Gjoni nuk duhet të fliste me asnjë përson.

Shyqyriu i kishte tregue Gjonit, se dikush e kishte urdhnue me i nxjerr Eshtnat e Fishtës nga Kisha dhe me i tretë në lumin Drin. Shyqyriu ka urdhnue një punëtor me i futë Eshtnat në thes dhe me ia çue në zyre, prej ku, mbas orarit të punës Shyqyriu do të shkonte dhe ti hidhte në lumin Drin.

Mbasi punëtori ka lanë thesin në zyre të Shyqyriut ka ikë, po Shyqyriu e kishte mbajtë thesin tri ditë në zyre dhe kur ka vërejtë se asnjeri nuk interesohet ma për atë çeshtje, ka shkue tek Gjoni, dhe i ka besue për veprimin që kanë krye bashkë me te në vorrezat e Rëmajit”.

Për këtë çeshtje, mbas vitit 1992, unë kam vue në dijeni tre përsona, Anton Benussin, Ernest Përdodën dhe në 1995, kur po riparohej Kisha Françeskane, At Konrrad Gjolaj, i cili, mund ta ketë bisedue me At Z.Pëllumbin. Unë dhe A.Benussi, jemi gjallë... tjerët jo!... Mendoj, se nuk duhet vazhdue ma mos me folë, edhe pse “demokratët” shqiptarë janë bijtë e baballarëve që kanë çvarrosë At Gjergj Fishtën. Por, tue u nisë se, ndoshta, ka mbetë ndër to një tjetër “Shyqyri Rrjoll”, që asht pak e vështirë me e mendue se ka, pranova me tregue këte sekret, për të cilin po ndodhi një përsëritje e së keqës maparshme me At Fishtën:

TURPI DO TI MBETËT VETËM SHKODRËS DHE VETËM ASAJ!


Shenim:

•Në muejin Tetor 2007, kam vue në dijeni me këte letër Institucionet Fetare Katolike të Shqipnisë, të cilët, nuk janë denjue me mu përgjigjë.

•Amanetin e të Ndjerit Gjon Gjergji nuk mendoj me e marrë me vedi.

•Mekenëse At Fishta ishte mik i babës sem, të Ndjerit Kol Radovani, për shpenzimet e hapjes së gropës ku asht sot dhe bajtjes deri tek Vorri simbolik në Kishën Françeskane të Gjuhadolit, në Shkoder, ju përgjigjem personalisht, mbasi të përfundoni punimet.


Fritz RADOVANI Melbourne, 6 Prill 2008.